Përfaqësuesi i Komunës së Prishtinës, avokati Bajram Dini, ka thënë se Komuna e Prishtinës nuk e konsideron veten të dëmtuar në gjykimin për keqpërdorim me lejet ndërtimore, pasi sipas tij leja ndërtimore ishte lëshuar pasi që ishte bërë ndërrimi i pronës publike në atë private.

“Gëzim Ferizi kishte lëshuar leje ndërtimore, pasi ishte bërë nënshkrimi i kontratave mbi këmbimin e pronave dhe nga ajo që kemi arritur të kuptojmë i vetmi lëshim i vogël që ishte bërë në atë rast nga ana e Gëzim Ferizit, ka qenë lëshimi i lejes pa përfunduar regjistrimi në librat kadastral i ndërrimit të këtyre pronave. Prandaj, Komuna e Prishtinës konsideron se nuk është palë e dëmtuar dhe veprimet e këtu të akuzuarit nuk kanë ndikuar që e njëjta të jetë palë e dëmtuar”, ka thënë ai.

Një deklarim të tillë, avokati Dini e  ka thënë në seancën e së mërkurës, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në gjykimin ku për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar po akuzohet Gëzim Ferizi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas aktit akuzues, i akuzuari Ferizi kishte nxjerrë dy aktvendime të lejeve ndërtimore, por që pjesa tekstuale nuk përkonte me pjesën grafike.

Ndryshe, në këtë seancë është dëgjuar në cilësi të dëshmitarit edhe ushtruesi i kallëzimit penal, Bujar Ajeti, i cili duke u përgjigjur në pyetjet e prokurores Dulina Hamiti ka deklaruar se ndaj të akuzuari Ferizi në vitin 2014 kishte ushtruar kallëzim penal.

Ai tha se kallëzim penal ndaj të akuzuarit Ferizi kishte ushtruar për shkak se për pronën për të cilën ishte lëshuar leja ndërtimore, ekziston kontest pronësor ndërmjet tij dhe Komunës së Prishtinës.

“Pjesa e rrugës e cila është në kontest pronësor mes neve dhe Komunës së Prishtinës, është jep leja për ndërtim të lartë, e kam fjalë për parcelën 741//14, e cila parcelë kadastrale gjendet në “Mati 1”, tha ai.

Sipas tij, ajo rrugë kishte qenë në emër të Komunës së Prishtinë, dhe ka qenë rrugë e pakategorizuar dhe ka shtuar se në atë rrugë publike ishte bërë ndërtim i lartë.

Pas kësaj, ai tha se kishte ushtruar ankesë në Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH), kundër vendimit për dhënien e lejes për ndërtim dhe e cila ministri sipas tij kishte kthyer përgjigje që të dhënat në kadastër nuk korrespondojnë me gjendjen në terren.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, të ngritur më 25 janar 2018, Gëzim Ferizi, në cilësinë e inxhinierit të arkitekturës në Drejtorinë e Urbanizmit në Prishtinë, ka keqpërdorur detyrën e tij zyrtare, me ç’rast Komunës së Prishtinës i kishte shkaktuar dëm të konsiderueshëm material.

Sipas aktit akuzues, i akuzuari Ferizi kishte nxjerrë dy aktvendime të lejeve ndërtimore, por që pjesa tekstuale nuk përkonte me pjesën grafike.

Ai akuzohet se më 22 mars 2013, kishte përpiluar aktvendimin e parë të lejeve ndërtimore për ndërtimin e objekteve afariste në objektin “A” dhe “C” në lagjen “Mati 1”, në Komunën e Prishtinës, ku investitor në këtë objekt është Latif Brajshori.

Kurse, sipas aktakuzës, më 10 qershor 2013, kishte nxjerrë aktvendimin e dytë për lejen e ndërtimit për objektin “B”, po në këtë lagje, ku investitor është “NNH Morina Ib”./Media Ndërtimi.